Skip to content
ASOCIACIONI I KRIMINOLOGËVE DHE KRIMINALISTËVE TË R.KOSOVËS

Asociacioni Kriminologëve dhe Kriminalistëve të Kosovës

Primary Menu
  • Home
  • Ballina
  • Për Ne
  • Lajmet
  • WBC Revista
  • Projektet
  • Galeria
  • Kontakti
  • PublikimetISBN
live
  • Home
  • Uncategorized
  • ETIOLOGJA E VRASJEVE NË PERIUDHËN 2020–2025, ASPEKTI KRIMINOLOGJIK NË REPUBLIKËN E KOSOVËS
  • Uncategorized

ETIOLOGJA E VRASJEVE NË PERIUDHËN 2020–2025, ASPEKTI KRIMINOLOGJIK NË REPUBLIKËN E KOSOVËS

ASKK Western Ballkan April 9, 2026

ETIOLOGJA E VRASJEVE NË PERIUDHËN 2020–2025, ASPEKTI KRIMINOLOGJIK NË REPUBLIKËN E KOSOVËS

                                     Msc.Gresa Hetemi    

Prof. Ass. Dr. Mensut Ademi

Mensut Ademi

ABSTRAKTI

Hyrje: Fenomeni i vrasjeve përfaqëson një nga format më të rënda dhe komplekse të kriminalitetit, me ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë publike, rendin shoqëror dhe funksionimin e institucioneve shtetërore. Në periudhën 2020–2025, Kosova është përballur me një numër të konsiderueshëm rastesh të vrasjeve, të cilat shpesh kanë pasur në sfond motive të ndryshme si konfliktet familjare, hakmarrja, intereset personale dhe tensionet sociale. Ky fenomen përfshin ndërveprimin e faktorëve socio-ekonomikë, kulturorë dhe psikologjikë, të cilët ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e kriminalitetit të rëndë. Analiza e këtyre elementeve është thelbësore për të kuptuar etiologjinë e vrasjeve, për të identifikuar modelet e sjelljes kriminale dhe për të vlerësuar mënyrën se si funksionon sistemi ligjor dhe institucional në parandalimin dhe ndëshkimin e këtyre veprave penale. Kompleksiteti i situatës nënvizon nevojën për qasje të integruar dhe strategji të strukturuara që synojnë uljen e numrit të vrasjeve dhe rritjen e sigurisë së përgjithshme.

Qëllimi: Qëllimi i këtij punimi është që, përmes shqyrtimit të literaturës aktuale dhe analizës së pyetësorit të realizuar, të kuptohet në mënyrë sa më të plotë fenomeni i vrasjeve në Kosovë, të identifikohen faktorët kryesorë kontribues dhe të vlerësohen qasjet ligjore e institucionale që ndikojnë në menaxhimin e këtyre rasteve, si dhe të ofrohen rekomandime për parandalimin efektiv.

Materiali dhe Metodat:Ky punim bazohet në rishikim literature dhe analizë të burimeve shkencore të besueshme, të marra nga databaza ndërkombëtare dhe nga materiale të tjera akademike të publikuara ndër vite. Gjithashtu, janë përdorur të dhëna të mbledhura përmes një pyetësori online, i shpërndarë nëpër të gjitha qytetet e Kosovës, me qëllim që të sigurohet një qasje empirike dhe një pasqyrë sa më reale e situatës së vrasjeve gjatë periudhës së studiuar.

Rezultatet dhe Përfundimi: Diskursi rreth vrasjeve në Kosovë gjatë viteve 2020–2025 është kompleks dhe shumëdimensional, duke përfshirë faktorë si motivet socio-ekonomike, konfliktet familjare, boshllëqet ligjore dhe sfidat institucionale. Gjetjet sugjerojnë se një qasje gjithëpërfshirëse, e cila integron masa parandaluese, përmirësime ligjore dhe ndërhyrje sociale, është thelbësore për zvogëlimin e incidencës së vrasjeve dhe rritjen e sigurisë publike. Forcimi i mekanizmave institucionalë dhe ndërhyrjet e synuara në faktorët rrënjësorë paraqiten si domosdoshmëri për një reagim më efikas ndaj këtij fenomeni.

Fjalët kyçe: Vrasjet, Kriminaliteti i rëndë, Faktorët socio-ekonomikë, Parandalimi i krimit, Sistemi ligjor në Kosovë.

ABSTRACT

Introduction: The phenomenon of homicide represents one of the most severe and complex forms of criminal activity, with a direct impact on public safety, social order, and the functioning of state institutions. During the period 2020–2025, Kosovo has faced a considerable number of homicide cases, often driven by motives such as family conflicts, revenge, property-related disputes, and social tensions. This phenomenon involves the interaction of socioeconomic, cultural, and psychological factors that directly influence the rise of serious crime. Analyzing these elements is essential for understanding the etiology of homicides, identifying criminal behavior patterns, and assessing how the legal and institutional systems function in preventing and sanctioning such offenses. The complexity of this situation underscores the need for an integrated approach and structured strategies aimed at reducing the number of homicides and increasing overall public safety.

Aim: The aim of this study is to understand, through a review of current literature and the analysis of questionnaire results, the phenomenon of homicides in Kosovo, to identify the main contributing factors, to evaluate the legal and institutional approaches that influence the management of these cases, and to provide recommendations for effective prevention.

Materials and Methods: This study is based on a literature review and the analysis of reliable scientific sources obtained from international databases and other academic materials published over the years. Additionally, data collected through an online questionnaire distributed across all cities of Kosovo were used, with the aim of ensuring an empirical perspective and a realistic representation of homicide trends during the studied period.

Results and Conclusion: The discourse surrounding homicides in Kosovo during 2020–2025 is complex and multidimensional, involving factors such as socioeconomic motives, family conflicts, legal gaps, and institutional challenges. The findings suggest that a comprehensive approach—integrating preventive measures, legal improvements, and social interventions—is essential for reducing homicide incidence and enhancing public safety. Strengthening institutional mechanisms and taking targeted action toward root causes emerge as necessary steps for a more effective response to this phenomenon.

Keywords: Homicide, Serious crime, Socioeconomic factors, Crime prevention, Legal system in Kosovo.

HYRJE

Fenomeni i vrasjeve përbën një nga format më ekstreme e të rënda të kriminalitetit dhe një tregues të rëndësishëm të sigurisë publike dhe rendit shoqëror në çdo shtet (1, 2). Në periudhën e viteve 2020–2025, Republika e Kosovës është përballur me ndryshime të shumta në strukturën shoqërore, ekonomike dhe institucionale, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në format dhe motivet e kryerjes së veprave të rënda penale, përfshirë vrasjet (3, 4). Analiza e etiologjisë së vrasjeve, pra e shkaqeve dhe faktorëve që çojnë individët drejt këtij akti ekstrem, është thelbësore për kuptimin e dimensioneve kriminologjike dhe për zhvillimin e politikave efektive që ndihmojnë në parandalimin e saj (5, 6).

  1. Qëllimi dhe rëndësia e temës

Qëllimi i këtij studimi është të analizojë shkaqet, motivet dhe faktorët që ndikuan në kryerjen e vrasjeve në Kosovë gjatë periudhës 2020–2025, duke i parë ato nga perspektiva kriminologjike. Rëndësia e temës qëndron në faktin se kuptimi i mirëfilltë i etiologjisë së vrasjeve mund të ndihmojë në:

  • Zhvillimin e strategjive të reja për parandalimin e krimeve të rënda,
  • Përmirësimin e politikave të sigurisë publike dhe të drejtësisë penale,
  • Rritjen e vetëdijes shoqërore mbi shkaqet e dhunës ekstreme

Studimi gjithashtuna ofron një pasqyrë të situatës kriminale në Kosovë gjatë një periudhe të veçantë historike, të ndikuar nga faktorë si pandemia COVID-19, transformimet socio-ekonomike dhe ndryshimet institucionale në sistemin e drejtësisë.

  1. Problematika dhe motivimi i studimit

Problematika kryesore që trajton kjo temë lidhet me pyetjen se cilët janë faktorët kryesorë që nxisin individët në Kosovë të kryejnë vrasje në periudhën e studiuar. Megjithëse vrasjet janë ndër veprat më të studiuara në kriminologji, konteksti specifik i Kosovës – me karakteristikat e saj socio-ekonomike, kulturore dhe politike – kërkon një analizë të veçantë. Motivimi i këtij studimi buron nga nevoja për të kuptuar në mënyrë më të thellë shkaqet e një fenomeni që, përveç se dëmton jetën njerëzore, ndikon drejtpërdrejt në ndjenjën e sigurisë dhe stabilitetit shoqëror. Gjithashtu, mungesa e studimeve të thelluara kriminologjike mbi periudhën 2020–2025 e bën këtë hulumtim të ketë vlerë të shtuar akademike.

  1. Objektivat dhe pyetjet kërkimore

Objektivat kryesorë të studimit janë:

  1. Të identifikohen faktorët socialë, ekonomikë, psikologjikë dhe institucionalë që ndikojnë në kryerjen e vrasjeve në Kosovë.
  2. Të analizohet dinamika dhe trendet e vrasjeve gjatë viteve 2020–2025.
  3. Të shqyrtohet roli i institucioneve të rendit dhe drejtësisë në parandalimin dhe trajtimin e këtyre rasteve.
  4. Të jepen rekomandime për politika më efektive të parandalimit të vrasjeve.

Pyetjet kërkimore kryesore janë:

  • Cilat janë shkaqet më të zakonshme të vrasjeve në Kosovë gjatë periudhës 2020–2025?
  • A ekziston një lidhje mes kushteve socio-ekonomike dhe rritjes së numrit të vrasjeve?
  • Si kanë ndikuar faktorët si pandemia COVID-19 apo papunësia në rritjen e krimeve të dhunshme?
  • Si e trajtojnë institucionet e drejtësisë penale fenomenin e vrasjeve dhe sa efektive janë masat e marra ?

QËLLIMI

Qëllimi i këtij punimi është që, përmes shqyrtimit të thelluar të literaturës aktuale shkencore dhe analizës së detajuar të pyetësorit të realizuar në nivel vendi, të ofrohet një kuptim sa më gjithëpërfshirës i fenomenit të vrasjeve në Kosovë gjatë periudhës 2020–2025. Punimi synon të identifikojë dhe analizojë faktorët kryesorë kontribues që ndikojnë në shfaqjen e këtyre veprave penale, përfshirë elementët socio-ekonomikë, kulturorë, psikologjikë dhe institucionalë. Po ashtu, objektiv i rëndësishëm është vlerësimi kritik i qasjeve ligjore dhe mekanizmave institucionalë të përdorur për menaxhimin, parandalimin dhe ndëshkimin e rasteve të vrasjeve, me qëllim që të evidentohen mangësitë, sfidat dhe pikat ku sistemi aktual kërkon përmirësim. Përmes gjetjeve të studimit synohet hartimi i rekomandimeve konkrete dhe të zbatueshme, të cilat mund të kontribuojnë në rritjen e efektivitetit të institucioneve shtetërore dhe në zhvillimin e strategjive më efikase për parandalimin e këtij fenomeni, duke rritur kështu sigurinë publike dhe stabilitetin shoqëror në afat të gjatë.

METODOLOGJIA DHE METODAT

Ky punim paraqet një rishikim narrativ të literaturës, i kombinuar me analizë empirike të të dhënave të mbledhura përmes një pyetësori online. Rishikimi i literaturës është fokusuar në studime shkencore, raporte institucionale, publikime akademike dhe dokumente zyrtare të cilat trajtojnë fenomenin e vrasjeve, faktorët kontribuues, si dhe reagimin ligjor e institucional ndaj këtyre rasteve në kontekstin e Kosovës.

Procesi i kërkimit është realizuar duke konsultuar databaza të njohura ndërkombëtaresi dhe burime të tjera të besueshme nga institucionet e sigurisë, organizatat ndërkombëtare, raportet vjetore të policisë dhe dokumentet e politikave shtetërore. Janë përzgjedhur vetëm ato publikime që trajtojnë drejtpërdrejt kriminologjinë, faktorët socio-ekonomikë që ndikojnë në rritjen e vrasjeve, si dhe qasjen ligjore ndaj këtyre veprave penale.

Përveç literaturës së shkruar, një komponent i rëndësishëm metodologjik ka qenë pyetësori online, i cili është shpërndarë në të gjitha qytetet e Kosovës. Pyetësori ka pasur për qëllim mbledhjen e të dhënave mbi perceptimet, përvojat dhe faktorët që qytetarët i konsiderojnë si ndikues në shfaqjen e vrasjeve në vend. Të dhënat e mbledhura janë përdorur për të krijuar një pasqyrë empirike më të plotë dhe për të plotësuar analizën teorike të punimit.

Kërkimi në literaturë është bërë duke përdorur fjalë kyçe si: Vrasjet, Kriminaliteti i rëndë, Faktorët socio-ekonomikë, Parandalimi i krimit, Sistemi ligjor në Kosovë.

KUPTIMI DHE TRAJTIMI I VRAJSJES NË DREJTËSI DHE KRIMINOLOGJI

1. Përkufizimi juridik i vrasjes sipas legjislacionit të Kosovës

Vrasja si vepër penale përfaqëson një nga format më të rënda të kriminalitetit dhe për këtë arsye, si në të kaluarën ashtu edhe në ditët e sotme, e zë një vend të veçantë në fushën e shkencave juridike dhe në sistemet penale. Ky trajtim i veçantë i dedikohet faktit se me aktin e vrasjes humbet përgjithmonë vlera më themelore e qenies njerëzore dhe e shoqërisë në tërësi – jeta e njeriut (7, 16).

Pikërisht për shkak të natyrës së saj të rëndë dhe pasojave të pariparueshme që shkakton, vrasja ka qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes, jo vetëm të institucioneve shtetërore dhe organeve të drejtësisë, por edhe të publikut të gjerë. Njëkohësisht, ajo paraqet një objekt të rëndësishëm studimi për shumë studiues dhe hulumtues që synojnë të kuptojnë shkaqet, motivet dhe ndikimet e këtij fenomeni në shoqëri (11, 17).

Paraqitja e rasteve të vrasjeve, gjatë periudhave të ndryshme kohore, është kushtëzuar si rezultat i faktorëve të shumtë shoqëror-ekonomik, atyre politikë dhe faktorëve të posaçëm, siç janë raportet juridike-civile me bazë të kontesteve pronësore-juridike (8, 18).

E drejta për jetë është një nga të drejtat më të rëndësishme apo themelore dhe universale të njeriut, e mbrojtur nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si dhe nga një numër instrumentesh ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, siç janë Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo e drejtë e patjetërsueshme reflektohet drejtpërdrejt edhe në sistemin penal të Kosovës, ku vrasja përbën një nga veprat penale më të rënda kundër jetës dhe integritetit fizik të një personi (10, 19).Në terma ligjorë, vrasja, në kuptimin më të gjerë, do të thotë marrja e jetës së një personi tjetër, me dashje ose pa dashje. Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (Ligji Nr. 06/L-074, në fuqi që nga viti 2019), kjo vepër penale rregullohet në kapitullin mbi veprat penale kundër jetës dhe trupit, duke përfshirë jo vetëm vrasjen e thjeshtë, por edhe format e ndryshme të saj që ndryshojnë në bazë të motivit, rrethanave ose mënyrës së kryerjes (9,20).

Kodi Penal, në nenin 172 dhe 173 e përcakton vrasjen e thjeshtë si më poshtë:

Neni 172 – “Vrasja” parashikon se ai që e privon nga jeta personin tjetër dënohet me jo më pak se pesë (5) vjet burgim.

Neni 173 – “Vrasja e rëndë” (p.sh. kur ka rrethana rënduese si motiv racor/fetare, urrejtje, etj.) parashikon dënim me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.(11, 21).

Ky përkufizim ligjor përfshin disa elemente të nevojshme për të kualifikuar një akt si vepër penale të vrasjes:

  • Subjekti aktiv: Çdo person që është penalisht përgjegjës.
  • Objekti ligjor: E drejta për jetën, si një e drejtë themelore e garantuar me ligj.
  • Veprimi aktiv: Marrja e jetës së një personi tjetër me dashje.
  • Elementi subjektiv (dashja): Kryesi i veprës penale duhet të ketë pasur për qëllim vrasjen e viktimës (domethënë, vetëm rezultati fatal nuk është i mjaftueshëm, por kërkohet qëllimi kriminal) (12, 21).

Megjithatë, legjislacioni penal i Kosovës nuk kufizohet vetëm në përkufizimin e thjeshtë të vrasjes, por parashikon edhe forma të tjera specifike dhe të kualifikuara të kësaj vepre penale, të cilat, për shkak të rrethanave të rënda në të cilat kryhen, konsiderohen më të rënda dhe dënohen më rëndë. Disa nga këto forma janë:

  • Vrasja e rëndë (Neni 173): Kur vrasja kryhet me dashje, kundër një personi zyrtar, në mënyrë mizore, për arsye racore ose gjinore, ose gjatë kryerjes së veprave të tjera penale (si p.sh. grabitje, përdhunim, etj.). Dënimi në këto raste mund të arrijë burgim të përjetshëm.
  • Vrasje në gjendje tronditjeje të rëndë mendore (Neni 174): Kur personi kryen vrasjen nën ndikim të fortë emocional, shpesh si rezultat i një provokimi serioz të menjëhershëm. Kjo formë mund të ndëshkohet më butë, për shkak të gjendjes së autorit të krimit.
  • Vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme (Neni 175): Ndodh kur një person tejkalon kufirin e nevojshëm të mbrojtjes ligjore dhe shkakton vdekjen.
  • Vrasje nga pakujdesia (Neni 176): Në këtë rast, personi nuk ka ndërmend të marrë jetën e një tjetri, por vepron pa kujdes dhe pa marrë parasysh pasojat. Dënimet për këtë formë janë më të lehta dhe varen nga rrethanat. (13, 23).

Përkufizimi ligjor i vrasjes dhe ndarja e saj në forma të ndryshme synonë të mundësojë kualifikimin e saktë penal të sjelljes kriminale dhe të sigurojnë trajtim të drejtë dhe proporcional në gjykim dhe dënim. Kjo është e rëndësishme për ruajtjen e parimit të ligjshmërisë, të drejtës për një gjykim të drejtë dhe barazisë para ligjit. Një element tjetër i rëndësishëm është se Kodi Penal i Kosovës është hartuar në përputhje me standardet evropiane dhe praktikat e shteteve demokratike, ku sanksionet për vepra të rënda penale, siç është vrasja, pasqyrojnë seriozitetin e veprës penale dhe nevojën për të mbrojtur jetën e qytetarëve (14, 23).

Përkufizimi ligjor i vrasjes në legjislacionin penal të Kosovës është i qartë, gjithëpërfshirës dhe i ndarë funksionalisht në disa kategori që ndihmojnë në individualizimin e përgjegjësisë penale të autorëve të veprave penale, duke mundësuar kështu një sistem drejtësie penale më të drejtë dhe efikas. (23).

 

 

Nr.

 

Lloji i vrasjes

Neni në Kodin Penal  

Përshkrimi

Dënimi i parashikuar
1 Vrasja e thjeshtë Neni 172 Marrja e jetës me dashje të një personi tjetër 10 – 20 vjet burgim
2  

Vrasja e rëndë

Neni 173 Vrasje me paramendim, për motive të poshtra, ndaj zyrtarëve, etj. 10 – 30 vjet ose burgim i përjetshëm
3 Vrasja në gjendje të tronditjes mendore Neni 174 Kryhet nën ndikimin e fortë emocional ose pas një provokimi të rëndë Deri në 10 vjet burgim
4 Vrasja në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme Neni 175 Vrasje e kryer gjatë mbrojtjes vetjake, por me tejkalim të kufijve Deri në 5 vjet burgim
5 Vrasja nga pakujdesia Neni 176 Marrja e jetës pa dashje, për shkak të neglizhencës apo pakujdesisë Deri në 5 vjet burgim (varësisht nga rrethanat)

 

 

2.Klasifikimi i vrasjeve në të drejtën penale

Vrasja është një nga krimet më të rënda kundër jetës së njeriut dhe përbën një nga shkeljet më të thella të të drejtave themelore të individit. Në të drejtën penale, vrasja trajtohet me një rëndësi të veçantë, jo vetëm për shkak të pasojave tragjike që shkakton, por edhe për ndikimin që ka në sigurinë shoqërore dhe stabilitetin e rendit publik. Për këtë arsye, sistemi ligjor ka zhvilluar një klasifikim të detajuar të vrasjeve, i cili ka për qëllim të përcaktojë shkallën e përgjegjësisë së autorit dhe masën e dënimit, duke marrë parasysh faktorë të ndryshëm si qëllimi i veprës, rrethanat e kryerjes, subjekti që e kryen dhe mënyra me të cilën realizohet vepra penale. Ky klasifikim është thelbësor për të siguruar drejtësi të balancuar dhe për të shmangur trajtime të njëanshme të rasteve penale. (12)

Një nga kriteret më të rëndësishme për klasifikimin e vrasjeve është qëllimi i autorit. Kur vrasja kryhet me dashje, kjo do të thotë se autori ka pasur qëllim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë për të marrur jetën e viktimës. Kjo formë konsiderohet më e rëndë në të drejtën penale, sepse autori e di se veprimi i tij do të çojë në vdekje dhe ndërmerr veprime për ta realizuar atë qëllim (8). Vrasja me dashje mund të ketë motive të ndryshme, përfshirë përfitime personale, hakmarrje, përfitim ekonomik, ose arsyetime të tjera kriminale. Për shembull, një vrasje e kryer për përfitim financiar, si në rastin e një pastrimi të trashëgimisë ose sigurimeve, konsiderohet një nga format më të dënueshme të vrasjes me dashje. Një karakteristikë kyçe e vrasjes me dashje është se ajo pasqyron një ndërveprim të ndërgjegjshëm midis veprimit dhe pasojës, që e bën autori të plotësisht i përgjegjshëm për rezultatin fatal (24).

Nga ana tjetër, ekziston vrasja jo me dashje, e cila ndodh kur autori nuk ka pasur qëllim për të shkaktuar vdekje, por veprimi i tij i pakujdesshëm ose i neglizhent rezulton në fatalitetin e viktimës. Kjo kategori përfshin vrasjet nga pakujdesia, aksidentet dhe rastet e vdekjes që ndodhin për shkak të veprimeve të papërshtatshme të autorit. Një shembull tipik mund të jetë një aksident në punë, ku mosrespektimi i rregullave të sigurisë çon në humbjen e jetës së një punonjësi, ose një aksident rrugor ku një shofer nuk respekton sinjalizimin dhe shkakton vdekjen e një kalimtari. Për këto raste, dënimi zakonisht është më i ulët se për vrasjen me dashje, duke pasur parasysh mungesën e qëllimit të drejtpërdrejtë, por gjithsesi mbetet i rëndë për shkak të pasojeve të veprës (16).

Një tjetër mënyrë e rëndësishme e klasifikimit lidhet me rrethanat që shoqërojnë kryerjen e vrasjes. Vrasjet e rënduara janë ato që ndodhin në rrethana që i japin veprës një peshë më të madhe penale (6). Këto përfshijnë, për shembull, vrasjen e një fëmije ose të një personi të pambrojtur, vrasjen gjatë kryerjes së një krimi tjetër, si vjedhja, përdhunimi ose grabitja, si dhe vrasjen me përdorim të torturës ose mizorisë së veçantë. Vrasjet e rënduara konsiderohen veçanërisht të dënueshme, sepse ato shfaqin një mungesë të plotë respekti për jetën dhe dinjitetin njerëzor, si dhe një qëllim të qartë për të shkaktuar dhimbje jo vetëm fizikisht, por edhe emocionalisht (28). Në kontrast, ekzistojnë vrasjet e lehtësuara, ku rrethanat e veprës mund të zvogëlojnë përgjegjësinë penale të autorit. Kjo mund të ndodhë, për shembull, kur vrasja kryhet nën ndikimin e një tronditjeje emocionale të jashtëzakonshme, ose në situata të mbrojtjes së vetvetes, ku autori vepron në mënyrë proporcionale për të mbrojtur jetën e tij ose të të tjerëve. Ligji i merr parasysh këto rrethana duke lejuar një fleksibilitet në dënimin e autorit, duke bërë të mundur një trajtim më të drejtë dhe proporcional me shkallën e fajit. (26)

Klasifikimi mund të bëhet gjithashtu sipas subjektit që kryen veprën penale. Në shumicën e rasteve, bëhet fjalë për individë të zakonshëm, por ligji ka parashikuar edhe rastet kur autori mund të jetë një zyrtar publik, polic ose ushtar gjatë ushtrimit të detyrës. Këto raste kanë rëndësi të veçantë juridike, sepse përgjegjësia penale dhe dënimi varen nga rrethanat e kryerjes dhe nga statusi ligjor i autorit (11). Për shembull, një polic që përdor forcë të tepruar gjatë arrestimit dhe shkakton vdekjen e një personi mund të përballet me akuza për vrasje, por ligji mund të marrë parasysh kontekstin e veprimit dhe rrethanat e emergjencës për të përcaktuar shkallën e përgjegjësisë. Një tjetër dimension i klasifikimit lidhet me mënyrën e kryerjes së vrasjes. Vrasja mund të kryhet me mjete të ashpra, si armë zjarri, thika ose objekte të forta, duke treguar qëllim të qartë dhe aftësi për të shkaktuar vdekje. Ajo mund të kryhet gjithashtu përmes helmimit, përdorimit të substancave të rrezikshme, apo metodave të tjera të fshehta që nuk lënë gjurmë të qarta. Një kategori tjetër është vrasja nga pakujdesia, e cila përfshin situata kur vdekja ndodh për shkak të veprimeve jo të qëllimshme ose të papërshtatshme të autorit (27).

Mënyra e kryerjes së vrasjes nuk është thjesht një aspekt teknik, por ndikon në vlerësimin e mizorisë, planifikimit dhe intensitetit të fajit, duke pasur një rëndësi të veçantë në përcaktimin e masës së dënimit. Klasifikimi i vrasjeve në të drejtën penale është një mënyrë thelbësore për kuptimin dhe trajtimin e këtij krimi kompleks. Ai mundëson përcaktimin e përgjegjësisë së autorit në mënyrë të drejtë dhe të saktë, duke marrë parasysh qëllimin, rrethanat, subjektin dhe mënyrën e kryerjes së veprës.

Njohja e këtij klasifikimi është thelbësore për profesionistët e drejtësisë, pasi ndihmon në vlerësimin e rasteve të ndryshme dhe përcaktimin e masës së duhur të dënimit, duke ruajtur parimin e drejtësisë penale dhe mbrojtjen e jetës njerëzore. Përveç aspektit juridik, ky klasifikim ka një dimension edukativ dhe moral, pasi ndihmon shoqërinë të kuptojë seriozitetin e shkeljes së jetës dhe rëndësinë e parandalimit të krimeve kundër jetës (26).

Kategoria e vrasjes Përkufizimi / Karakteristikat Shembuj Shkalla e përgjegjësisë / Dënimi
 

Vrasja me dashje

Kur autori ka qëllim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë për të hequr jetën e viktimës. Vrasja për hakmarrje, vrasja për përfitim ekonomik, vrasja e planifikuar e një personi. Shkalla më e lartë e përgjegjësisë; dënim i rëndë.
Vrasja jo me dashje (nga pakujdesia / neglizhenca) Kur autori nuk ka qëllim të vrasë, por veprimet e tij shkaktojnë vdekjen. Aksident pune për shkak të mosrespektimit të rregullave të sigurisë, aksident rrugor me pasoja fatale. Shkalla më e ulët e përgjegjësisë krahasuar me vrasjen me dashje; dënim më i lehtë.
 

Vrasja e rënduar

Kur vrasja kryhet në rrethana të veçanta që e bëjnë më të dënueshme. Vrasja e një fëmije, vrasja gjatë kryerjes së një krimi tjetër, vrasja me mizori ose torturë. Shkallë e lartë e përgjegjësisë; dënim më i rëndë se vrasja normale me dashje.
 

Vrasja e lehtësuar

 

Kur rrethanat e veprës zvogëlojnë përgjegjësinë penale.

Vrasja e kryer nën ndikimin e tronditjes emocionale, vetëmbrojtja e proporcioni të drejtë.  

Shkallë më e ulët e përgjegjësisë; dënim i reduktuar.

Vrasja nga subjekt i zakonshëm Kur autori është një individ normal, pa status publik. Vrasja midis dy individëve për motive personale. Varet nga natyra e vrasjes (me dashje, e rënduar, jo me dashje, etj.).
Vrasja nga autoritet publik / me detyrë speciale Kur autori është polic, ushtar ose zyrtar publik gjatë ushtrimit të detyrës.  

Vrasja gjatë arrestimit, vrasja gjatë mbrojtjes së situatës emergjente.

Përgjegjësia dhe dënimi varen nga ligji dhe rrethanat; mund të zvogëlohet në raste të justifikuara.
Vrasja sipas mënyrës së kryerjes Përfshin përdorimin e mjeteve të ashpra, helmim, ose pakujdesi. Vrasja me armë zjarri, vrasja me helm, vrasja aksidentale nga pakujdesia. Ndikon në dënim sipas mizorisë dhe intensitetit të fajit.

1.4.3 Vrasja si fenomen kriminologjik

3.Vrasja si fenomen kriminologjik

Në traditat më të hershme të njerëzimit deri në të drejtën bashkëkohore, jeta e njeriut është parë me një rëndësi të veçantë – si e drejta themelore dhe vlera më e shenjtë që çdo shoqëri duhet mee garantu dhe me e mbrojtë. Qysh në kohët primitive, kur njerëzimi ishte i angazhuar në bashkësi të vogla, marrëdhëniet ndërpersonale dhe normat shoqërore ishin të mbështetura në rëndësinë e jetës së individit. Çdo sulm kundër jetës – çdo vrasje – njihej si një shkelje e rëndë, përtej përmasave të thjeshta ligjore, me pasoja shoqërore, morale dhe të stabilitetit të komunitetit. Kështu, vrasja, si akt që çon në humbjen e jetës së një personi, është gjithmonë renditur midis krimeve më të rënda, jo vetëm për shkak të efektit të saj të drejtpërdrejtë, por edhe për influencën e saj të thellë në rendin social, normat e bashkësisë dhe besimin e qytetarëve në shtet dhe ligj.

Në aspektin historik, evolucioni i reagimit të shoqërisë ndaj vrasjeve pasqyron ndryshime substanciale të mënyrës se si njeriu, si individ dhe si pjesëtar i komunitetit, ndërvepron me konceptin e fajit, dënimit dhe përgjegjësisë. Në shoqëritë primitive, ku nuk ekzistonin ende institucione të ndara dhe formale të drejtësisë penale, mënyrat për të reaguar ndaj një vrasjeje shpesh ishin bazuar në gjakmarrje ose pajtim brenda bashkësisë: familja e viktimës shkonte të marrë “drejtësinë” në dorën e vet, ndërsa autori duhej të përballonte hakmarrjen ose të bëhej pjesë e një procesi pajtimi. Me krijimin e shteteve, institucionalizimin e sistemit ligjor dhe kodifikimin e rregullave penale, përfaqësuesit e shtetit morën përsipër përgjegjësinë për ndjekjen penale të vrasjeve, u krijuan ligje të shkruara që parashikonin dënime të rënda për autorët e këtij krimi. Ky kalim nga juridiksioni i komunitetit në juridiksionin e shtetit shënon një hap kyç drejt profesionalizimit dhe objektivizimit të përgjegjësisë penale. Madje edhe në shoqëritë moderne, pavarësisht nga struktura e tyre politike, ekonomike apo juridike, vrasja vazhdon të konsiderohet si një nga veprat më serioze penale dhe ka ndikime që shtrihen përtej individit, në besimin publik dhe në mënyrën se si shoqëria përballon dhunën.

Kur merren parasysh pasojat e vrasjes, bëhet e qartë se ato shtrihen në dimensione të ndryshme: të individit, të familjes, të komunitetit, madje të gjithë shoqërisë. Për viktimën dhe familjen e saj, humbja e jetës së një personi shpesh i cili ka lidhje të ngushta me anëtarë të tjerë, fëmijë, të varur ekonomikisht, sjell dhimbje të pashmangshme, krizë psikologjike, por edhe pasoja materiale si humbja e përfitimeve që ai individ mund të sillte në familje, detyrime të pambuluara, dhe rreziqe të përkeqësimit të mirëqenies së anëtarëve të mbetur. Nga ana tjetër, familja e autorit të krimit gjithashtu ndikohet: shoqëria mund të paragjojë, të përjashtojë apo stigmatizojë familjen, duke e çuar në margjinalizim social  ndërkohë që barrët ekonomike dhe psikologjike nuk mungojnë. Në këtë kuadër, humbja e një jete nuk është vetëm humbje për personin individual, por për të gjithë rrethin social që ai përfaqëson: për komunitetin, për punën e tij, për gruan ose burrin, për fëmijët (28).

Përveç këtyre ndikimeve direkte, vrasjet prodhojnë pasoja të gjera shoqërore: ato krijojnë dhe nxisin ndjenja frike, pasigurie dhe mosbesimi ndaj rendit dhe institucioneve. Kur njerëzit shohin që krimet e rënda si vrasjet ndodhin, dhe ndoshta nuk sanksionohen ose nuk mbikëqyren mjaftueshëm, besimi në ligj dhe rend social dëmtohet. Kjo mund të çojë në fenomene të tjera: ngritje të ndjenjës së pasigurisë, përforcim të mentaliteteve të vetë-mbrojtjes ose hakmarrjes, dhe mundësinë që komuniteti të bëhet më i fragmentuar, jo vetëm për shkak të krimit, por për shkak të reagimeve shoqërore. Prandaj, për organet e drejtësisë penale është e domosdoshme të ndërmarrin masa gjithëpërfshirëse për të parandaluar dhe luftuar vrasjet jo vetëm në trajtimin e autorëve pas kryerjes së veprës, por në parandalim, edukim, ofrim të shërbimeve sociale dhe forcim të institucioneve të sundimit të ligjit.

Në këtë kuadër, është me rëndësi të hedhim një vështrim krahasues ndërkombëtar për të kuptuar se sa variabël është fenomeni i vrasjes dhe sa ndryshon nga një shoqëri në tjetrën. Sipas të dhënave të United Nations Office on Drugs and Crime (UNODC), vrasjet e qëllimshme përbëjnë një indikator kyç të dhunës në shoqëri, dhe raportet tregojnë se normat më të larta të vrasjeve gjenden në disa zona të Amerikës së Jugut, Qendrore dhe Karaibeve, dhe gjithashtu në përmasa të larta në Afrikë.Për shembull, një prej statistikave tregon se norma globale e vrasjeve qëllimshme ishte rreth 5.8 për 100 000 banorë në vitin 2024. Në krahasim, në shumë vende evropiane norma është shumë më e ulët — për shembull, një studim për zonën e Anglis dhe  Wales tregon rreth 9.5 vrasje për milion banorë për vitin 2024.Këto diferenca të thella bëjnë të qartë se faktorët socioekonomikë, normat shoqërore, struktura institucionale dhe efektiviteti i drejtësisë luajnë role kyçe në çfarë mase shoqëritë arrijnë të përballen me vrasjet (29).

Për shembull, në periudhën mes viteve të zhvillimit të së drejtës moderne në Britani, ligji i njohur si Homicide Act 1957 shënoi një pikë kthese në trajtimin penal të vrasjes në Angli e Uells, duke reformuar kriteret për vrasjen vullnetare dhe jovullnetare.Ky është vetëm një ilustrim se si sistemi ligjor ndërton klasifikime dhe dënime që reflektojnë vlerat dhe pritshmëritë e shoqërisë në një kohë të caktuar. Një tjetër shembull i rëndësishëm historik është nga ligji anglez i mesjetës për “murdrum”, sipas së cilit vrasja e fshehtë përbënte krim të veçantë dhe bashkësia përballte përgjegjësi kolektive për të kontribuuar në sanksionim(30, 31).

Në vijim të kësaj, duhet të përmendim se hulumtimi akademik thekson lidhjen mes vrasjeve dhe faktorëve strukturosocioekonomikë: nivelet e larta të pabarazisë ekonomike, varfëria, papunësia, dobësia e sundimit të ligjit dhe aksesit në arsim të gjitha janë treguar si faktorë që e rrisin rrezikun e vrasjeve në një shoqëri. Për shembull, studime në Brazil zbuluan se në shtetin Goias norma e vrasjeve u rrit nga 24.5 për 100 000 në vitin 2002 në 42.6 në vitin 2014, dhe pavarësisht përmirësimeve sociale, veçanërisht faktori urban dhe kontakti me qendrat urbane të mëdha mbeti shtytës i rëndë i krimit (32, 33).

Në aspektin ligjor dhe praktikopenal, është thelbësore të kuptojmë se vrasja nuk është një fenomen i vetëmshkaktuar, por rezultat i ndërthurjes së shumë faktorëve: qëllimi i autorit, rrethanat e veprës, mënyra e kryerjes, statusi subjektit dhe impakti shoqëror. Pikërisht për këtë, klasifikimi i vrasjeve në sistemet juridike ka për qëllim të reflektojë jo vetëm veprimin individual, por edhe kontekstin e tij. Njohja dhe përdorimi i këtij klasifikimi në praktikën penale është themelor për të siguruar një trajtim të drejtë dhe proporcional të autorëve, por edhe për të ruajtur parimin se jeta e njeriut është vlera më e lartë që ligji mbron. Prandaj, në një vend si Kosova është me rëndësi të veçantë që të realizohen studime të detajuara që lidhen me motivet, karakteristikat dhe pasojat e vrasjeve, si dhe me efektivitetin e masave parandalues dhe dënuese. Një mungesë e tillë e hulumtimit krijon një boshllëk në njohurinë profesionale dhe akademike, që duhet të plotësohet në mënyrë urgjente (34).

Vrasja si fenomen penal kërkon një qasje të integruar: juridike, sociale, psikologjike dhe statistikore. Nuk është e mjaftueshme të përqendrohemi vetëm në dënimin e autorëve; duhet të kuptojmë se pse ndodhin vrasjet, cilët janë faktorët që e nxisin, si ndikon humbja e jetës tek familjet dhe komunitetet, dhe cilat masa preventive janë më të efektshme. Hulumtimet më të thelluara do të ndihmojnë jo vetëm në përmirësimin e sistemit të drejtësisë, por edhe në rritjen e besimit qytetar në rendin ligjor, në forcimin e një kulture respekti për jetën dhe në parandalimin e krimeve që shkelin vlerën themelore të çdo personi (35).

4.Tipologjitë e vrasjeve në kontekstin kosovar

Fenomeni i vrasjeve në Kosovë gjatë viteve 2020–2025 pasqyron një ndërlidhje të ngushtë midis faktorëve socialë, ekonomikë, kulturorë dhe institucionalë, të cilët ndikojnë në formimin e sjelljeve kriminale dhe në mënyrën e manifestimit të dhunës. Edhe pse statistikat tregojnë një ulje graduale të numrit të përgjithshëm të vrasjeve krahasuar me periudhën 2010–2018, karakteri dhe motivet e tyre kanë mbetur të ndryshme e komplekse (Policia e Kosovës, Raport Vjetor 2024). Në kuptimin kriminologjik, tipologjia e vrasjeve mundëson analizën e këtij fenomeni jo vetëm si shkelje ligjore, por si fenomen social i ndikuar nga rrethana të caktuara jetësore, ku përzihen emocionet, presionet sociale dhe sfidat institucionale. Kjo analizë ndihmon në hartimin e politikave më të sakta për parandalimin e kriminalitetit të rëndë (36).

– Vrasjet me motive personale dhe familjare

Në Kosovë, vrasjet me motive personale përbëjnë një përqindje të lartë të rasteve të dhunës fatale. Këto ndodhin kryesisht si pasojë e konflikteve brenda familjes, mosmarrëveshjeve për prona, xhelozisë apo ndarjeve martesore me dhunë. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës (2023), rreth 30–35% e vrasjeve në vend lidhen me kontekste familjare. Rastet e tilla shpesh përfshijnë përdorim të armëve të zjarrit dhe zhvillohen në ambiente shtëpiake, duke rezultuar edhe me viktima femra. Nga këndvështrimi teorik, këto raste mund të interpretohen përmes Teorisë së Kontrollit Social të Hirschit (1969), sipas së cilës individët që humbasin lidhjet e forta emocionale dhe normative me familjen dhe shoqërinë, priren më lehtë drejt devijimit dhe sjelljes kriminale (36, 37).

– Vrasjet për hakmarrje dhe gjakmarrje

Hakmarrja dhe gjakmarrja janë fenomene që, megjithëse në rënie, ende gjenden në disa zona rurale të Kosovës. Këto vrasje karakterizohen nga motivimi moral dhe tradicional për “rikthimin e nderit”, duke e shndërruar aktin kriminal në një formë të perceptuar “drejtësie paralele”.
Sipas analizës së UNDP (2022), këto raste ndodhin më shpesh në komunitete ku autoriteti i ligjit shtetëror është i dobët dhe vlerat tradicionale mbizotërojnë mbi normat ligjore.
Në literaturën kriminologjike shqiptare (Doçi, 2018; Tërnava, 2021) thuhet se këto vrasje janë të lidhura me krizën e besimit ndaj institucioneve të drejtësisë dhe me perceptimin e padrejtësisë, që përforcojnë ciklin e dhunës brenda familjeve dhe fiseve. Këto janë vrasje të planifikuara, me intensitet të lartë emocional dhe me ndikim afatgjatë social (38, 39).

– Vrasjet e lidhura me krimin e organizuar

Një ndër tipologjitë më serioze janë vrasjet e lidhura me aktivitete kriminale, si tregtia e narkotikëve, fajdet, kontrabanda apo konfliktet ndërmjet grupeve kriminale. Këto vrasje janë të karakterizuara nga planifikimi profesional, përdorimi i armëve të sofistikuara, dhe shpesh kryerja në vende publike me qëllim frikësimi të rivalëve. Sipas Raportit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (2024), disa prej këtyre rasteve kanë lidhje me strukturat rajonale të krimit të organizuar, ku motivet ekonomike dominojnë mbi ato personale. Nga pikëpamja teorike, ky tip vrasjesh shpjegohet përmes Teorisë së Asociimit Diferencial të Sutherland (1947), që argumenton se individët mësojnë sjellje kriminale përmes kontakteve me grupe që e legjitimojnë krimin si mënyrë jetese (40, 41).

– Vrasjet nën ndikimin e substancave psikoaktive

Këto vrasje ndodhin si rezultat i mungesës së kontrollit racional për shkak të konsumit të alkoolit, drogës apo substancave të tjera psikoaktive. Raportet e Institutit të Mjekësisë Ligjore (2023) tregojnë se në mbi 30% të rasteve të vrasjeve të regjistruara, autorët kishin qenë nën ndikimin e substancave dehëse. Kriminologjikisht, këto raste lidhen me Teorinë e Frustrimit të Agnew (1992), sipas së cilës tensionet emocionale dhe ekonomike çojnë individin drejt akteve impulsive të dhunës. Zakonisht këto ngjarje ndodhin në lokale nate, festa, apo situata të konfliktit momental, ku një debat i vogël përshkallëzohet në tragjedi (41, 43).

– Vrasjet e lidhura me çrregullime mendore

Një numër më i vogël i vrasjeve lidhen me çrregullime mendore serioze, si skizofrenia, depresioni i rëndë apo psikozat afatshkurtra. Në këto raste, motivet janë shpesh të paqarta dhe irracionale, ndërsa viktimat janë zakonisht anëtarë të afërt të familjes. Në gjykatat e Kosovës, këto raste trajtohen sipas nenit 18 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (2019), që parashikon përjashtimin nga përgjegjësia penale nëse provohet paaftësia mendore në momentin e kryerjes së veprës. Ky tipologji ngre nevojën për bashkëpunim më të fortë ndërmjet shërbimeve psikiatrike dhe sistemit të drejtësisë, si formë e parandalimit të rasteve të përsëritura (44).

– Vrasjet gjatë periudhës së pandemisë COVID-19

Gjatë viteve 2020–2021, pandemia COVID-19 ndikoi ndjeshëm në strukturën e kriminalitetit në Kosovë. Izolimi, humbjet ekonomike dhe stresi emocional krijuan kushte që çuan në rritje të vrasjeve familjare dhe të dhunës në çift. Sipas Raportit të Policisë së Kosovës (2021), në atë periudhë u shënua një rritje prej rreth 20% e rasteve të vrasjeve në familje, ku motivet kryesore lidhen me tensionet e jetës gjatë karantinës. Kjo periudhë tregoi se krizat shëndetësore dhe sociale mund të shërbejnë si katalizatorë për akte dhune, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes psikosociale dhe politikave parandaluese në emergjenca (44).

– Vrasjet aksidentale dhe nga pakujdesia

Në këtë kategori hyjnë rastet ku vrasja ndodh pa qëllim, si rezultat i pakujdesisë apo përdorimit të armëve pa leje. Ligjërisht, këto përfshihen në nenin 178 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (2019), i cili përcakton “vrasjen nga pakujdesia” si vepër penale me dënim më të lehtë.
Megjithatë, në aspektin kriminologjik, këto raste reflektojnë mungesë të kulturës ligjore dhe të edukimit qytetar, duke ngritur nevojën për programe ndërgjegjësimi publik (45).

– Vrasjet me motive ideologjike dhe ekstremiste

Edhe pse të rralla, Kosova ka regjistruar disa raste të vrasjeve me motive ideologjike, fetare apo politike, të lidhura me ekstremizmin e dhunshëm. Raporti i Qendrës për Studime të Sigurisë (QKSS, 2024) thekson se këto raste lidhen me rrjetet e radikalizuara të individëve që kanë marrë pjesë në konflikte të huaja, si në Siri apo Irak. Ky tip përfaqëson formën më moderne të dhunës kriminale, ku motivet personale ndërthuren me ideologji globale, duke kërkuar përgjigje të koordinuar nga njësitë antiterrorizëm dhe shërbimet e inteligjencës.

Tipologjia e vrasjeve në Kosovë tregon se kriminaliteti i rëndë është produkt i shumë faktorëve të ndërlidhurekonomikë, socialë, psikologjikë dhe kulturorë. Ndërkohë që motivet tradicionale si hakmarrja po zbehen gradualisht, po shfaqen forma më moderne të vrasjeve, të lidhura me krimin e organizuar, varësitë psikoaktive dhe krizën sociale. Njohja e këtyre tipologjive është thelbësore për hartimin e politikave penale të bazuara në evidencë, forcimin e bashkëpunimit institucional dhe ndërtimin e një kulture të re ligjore që promovon zgjidhjen paqësore të konflikteve dhe respektin për jetën njerëzore (44, 45).

ASOCIACIONI I KRIMINOLOGËVE DHE KRIMINALISTËVE TË R.KOSOVËS
ASOCIACIONI I KRIMINOLOGËVE DHE KRIMINALISTËVE TË R.KOSOVËS

 

Continue Reading

Previous: Veprat penale të dhunës në familje në Kosovë për periudhën 2020–2025
Next: Intelligence services and their methods within Military Contracting Companies

Related Stories

8e0755cb-c5bb-489b-93be-5118b13abb8c
  • Uncategorized

Intelligence services and their methods within Military Contracting Companies

ASKK Western Ballkan April 9, 2026
WhatsApp Image 2026-04-08 at 10.00.17
  • Uncategorized

Veprat penale të dhunës në familje në Kosovë për periudhën 2020–2025

ASKK Western Ballkan April 9, 2026
yH5BAEAAAAALAAAAAABAAEAAAIBRAA7
  • Uncategorized

Comparing BTSE and Digifinex Node Architectures for Resilient Exchange Operations

Mensut Ademi April 4, 2026

Kontakti

  • Asociacioni i Kriminologëve dhe Kriminalistëve të Kosovës
  • ASKK
  • Dëshmorët e Kombit p.n. Republika e Kosovës
    Vushtrri 42000
  • info@askk-ks.com
  • 045 100 797
  • www.askk-ks.com

Kalendari

April 2026
M T W T F S S
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930  
« Jan    

You may have missed

8e0755cb-c5bb-489b-93be-5118b13abb8c
  • Uncategorized

Intelligence services and their methods within Military Contracting Companies

ASKK Western Ballkan April 9, 2026
0af15386-97b6-4781-92ad-271e57a8b7b0
  • Uncategorized

ETIOLOGJA E VRASJEVE NË PERIUDHËN 2020–2025, ASPEKTI KRIMINOLOGJIK NË REPUBLIKËN E KOSOVËS

ASKK Western Ballkan April 9, 2026
WhatsApp Image 2026-04-08 at 10.00.17
  • Uncategorized

Veprat penale të dhunës në familje në Kosovë për periudhën 2020–2025

ASKK Western Ballkan April 9, 2026
yH5BAEAAAAALAAAAAABAAEAAAIBRAA7
  • Uncategorized

Comparing BTSE and Digifinex Node Architectures for Resilient Exchange Operations

Mensut Ademi April 4, 2026
  • Ballina
  • Për Ne
  • Kontakti
Copyright © All rights reserved. | MoreNews by AF themes.